Nga Altin Ketro
Fushata elektorale për zgjedhjet e datës 25 prill, po prodhon edhe spote televizive negative për kundërshtarin politik siç është, për shembull, një spot i Partisë Demokratike i cili tenton të ballafaqojë disa premtime të kryeministrit Edi Rama, të bëra kryesisht gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 kur ishte ende në opozitë, me aktualitetin e sotëm teksa kanë kaluar 7 vjet.
Nuk do të merresha të analizoja atë çfarë PD-ja përpiqet të thotë nëpërmjet atij spoti në raport me realitetin, nëse nuk do të konstatoja disa gënjeshtra deformime të thëna në formë pasthirrme, që në fakt përbëjnë një autogol për autorët e spotit.
Le t’i marrim një për një në linjë kronologjike, siç paraqiten në spot.
1.Fragmenti i parë i spotit ka të bëjë me një premtim të Edi Ramës që nëse ai do të vinte në pushtet në vitin 2013, do ta ulte çmimin e naftës.
“Ehaa” – lëshon pasthirrmën xhaxhoja në spot teksa nget makinën, duke lënë të kuptojë për telespektatorin se Rama ia ka futur kot, pra ka gënjyer.
Realiteti sot është i tillë: Në vitin 2012, që ishte viti i shtatë i qeverisë “Berisha”, çmimi i benzinës në muajin janar ka qenë 190 lekë për litër, kurse çmimi i naftës tregtohej me pakicë me çmim 185 lekë për litër. Mjafton që mediat të hapin kronikat televizive të kohës dhe e vërtetojnë lehtësisht këtë që po them.
Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, çmimi i karburanteve me pakicë nuk arriti kurrë në ato shifra dhe sot çmimi i tyre është diku midis 150 – 160 lekë për litër. Pra, kemi një ulje të çmimit të karburantit gjë që e nxjerr jashtë loje propagandën e PD-së.
2. Fragmenti i dytë në spotin e PD-së vijon me një fjalë të zotit Rama që thotë se “negociatat janë hapur”.
“Ehaaa” – vijon pasthirrma tjetër e një çifti të ri në shtëpi, sërish duke ironizuar këtë thënie të Ramës, demek se sërish ai ia ka futur kot.
Realiteti sot është i tillë: Më 24 mars 2020, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Vetë komisioneri përgjegjës për zgjerimin në BE, zoti Oliver Varhelyi, në një status publik në Twitter theksonte se: “Vendimi i sotëm është një mesazh i fortë dhe i qartë për Ballkanin Perëndimor. E ardhmja jote është në BE!” Vetë Komisioni Evropian i paraqiti vendeve anëtare një raport ku rikonfirmoi rekomandimin e tij pozitiv për hapjen e bisedimeve me të dy vendet ballkanike.
Pra, në raport me detyrat që kishte karshi Komisionit Evropian, Shqipëria i kishte përmbushur plotësisht kushtet. Natyrisht, brenda 28 vendeve anëtare të BE-së të cilat duhet të dalin me vendim unanim, ka ndonjë syresh që zgjerimi i BE-së me vende të tjera ballkanike, mund t’u krijojë probleme të brendshme politike. Kjo pastaj del përtej atyre çfarë Shqipëria duhet të përmbushë.
3.Fragmenti i tretë në spot vijon me premtimin e Ramës për “ujë 24 orë gjatë mandatit të tretë”.
“Ehaaa” – pasthirrmën tre të rinj ulur në një tavolinë lokali duke konsumuar birra me kanoçe.
Realiteti sot është i tillë: Pas vitit 2013 investimet në sektorin e ujit kanë qenë më të mëdhatë dhe më seriozet e bëra në këto tre dekada. Gjatë mandatit të parë qeveria nisi aksionin e mbledhjes së detyrimeve nga debitorët e shumë të cilët me mospagesat e tyre, shto këtu amortizimin e infrastrukturës së ujësjellësave dhe humbjeve në rrjet, po e çonin këtë sektor drejt një falimentimi të plotë.
Gjatë mandatit të dytë nisën një sërë investimesh kolosale në rrjetin e furnizimit me ujë të zonave urbane dhe sot kemi disa qytete që furnizohen në pjesën më të madhe të tyre me 24 orë ujë të pijshëm. Natyrisht, tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e marsit 2020, detyroi qeverinë që shumë fonde të planifikuara për sektorin e ujit t’i kanalizojë për rindërtimin e shtëpive si dhe për daljen nga situata e vështirë e pandemisë që ndikoi fort në ekonominë shqiptare. Ndaj ta quash premtim të pa mbajtur këtë aspekt, është e turpshme, sepse nuk kemi pasur të bëjmë me situata normale, por totalisht anormale dhe objektivisht të justifikueshme për të mos e mbajtur atë premtim në 100 për qind të dimensionit të tij.
4.Fragmenti i katërt i spotit, ka të bëjë me premtimin e Ramës për shëndetësinë falas.
Pasthirrma “Ehaaa” i “besohet” një çifti pensionistësh të cilët nga kolltuku i shtëpisë tundin kokën në shenjë mohimi.
Realiteti sot është i tillë: Në qeverisjen e PD-së, në rast se nuk ishe i siguruar, duhet të paguaje tarifë lekësh për të marrë shërbim nga mjeku i familjes. Sot, edhe nëse nuk je i siguruar, atë shërbim e ke falas. Mjeku i familjes të referon po falas tek mjeku i specialist i poliklinikës së specialiteteve dhe po ai të referon me sistem online po falas në spital në rast se ke nevojë për shërbim më të specializuar. Përpara pandemisë falas ka qenë edhe kontrolli shëndetësor bazë i njohur ndryshe si Check Up-i, por që u pezullua për shkak të pandemisë. Falas jepen edhe ilaçet për pensionistët dhe një sërë kategorish.
Tani, nëse ngatërroni këtë zinxhir ndjekje shëndetësore falas, me ryshfetin që i jepet nën dorë mjekut apo infermierit, më falni, por ky nuk ka qenë premtim i Ramës. Ky bën pjesë në ndërgjegjen e pacientin që pranon të bëhet palë me mjekun duke e “dorovitur” dhe nuk e denoncon atë.
Për paralelizëm, është njësoj sikur dikush të të futet në shtëpi, ta grabitë atë dhe ti nuk e denoncon tek policia. Po nëse nuk bën denoncim, nga ta marrë vesh policia që shtëpia jote është grabitur?! Në rast se pacienti denoncon mjekun apo infermierin dhe, pas kësaj, instancat shtetërore nuk reagojnë, atëherë pacienti ka të drejtë që të akuzojë shtetin si bashkëpunëtor në korrupsion.
5.Fragmenti i pestë dhe i fundit i spotit kishte të bënte me premtimin e Ramës për aeroporte.
Pasthirrmën e fundit “Ehaa”, nuk e mori përsipër askush që ta shfaqe me fytyrë, por veç me zë. Dhe kjo e ka një shpjegim domethënës.
Realiteti sot është i tillë: Aeroporti i ri i Kukësit është një fakt dhe pritet të inaugurohet në mes të prillit, Aeroporti i Vlorës, të cilin e vonoi pandemia për zbatim, është në fazën e nënshkrimit të kontratës me fituesin Mabetex të zotit Pacolli. Aeroporti i Rinasit do nisë shumë shpejt investimin për zgjatjen e tij me qëllim që të bëhet funksional për fluturime transoqeanike me Amerikën. Në projekt për mandatin e tretë është aeroporti turistik i Sarandës, që do tenderohet fill pas nisjes së punimeve të atij të Vlorës.
Natyrisht, këto spote Lulzim Basha nuk i nxjerr për ata që kanë kujtesë të fortë që nga koha kur qeveriste Partia Demokratike, por i nxjerr për “ata që mund ta hanë” sapunin për djathë, siç e tha bukur Blendi Fevziu gjatë debatit me Bashën. Ky është qëllimi i vërtetë i Lulzim Pasthirrmës!