Nga Endri Kajsiu
Duhen dy për të kërcyer tango. Por, në një vend normal, askush nuk duhet të vallëzonte me jetën e njerëzve. Kontrasti i sotëm në Shqipëri është therrës. Nga njëra anë, njerëz të dyndur në sheshet e çdo qyteti, me maska dhe me distancë për të marrë dozën jetëshpëtuese të vaksinës.
Nga ana tjetër, lukuni njerëzish, me qindra të tillë në çdo rast, të paketuar në pak metra katrorë, pa asnjë maskë dhe mbrojtje për të valëvitur flamurin e Partisë Demokratike. Pas tubimit masiv dhe pa maska në Tiranë në ditën e hapjes së fushatës, dje në Fier Basha sërish u shndërrua në një vatër infeksioni mes përkrahësve të tij dhe edhe një herë më shumë, sot bëri të njëjtën gjë në Korçë.
Vaksinimi bëhet për të shpëtuar jetë, por edhe për të shpëtuar ekonominë dhe mbi të gjitha sezonin turistik që po vjen. Nga rihapja e ekonomisë dhe pasja e një sezoni turistik normal varen qindra mijëra vende pune. Varen rrogat tona, mirëqënia jonë. Kjo i bën tubimet e Bashës edhe më të turpshme akoma.
Bilanci njerëzor është i qartë. Tubimet përhapin infeksionin tek pjesëmarrësit, të afërmit dhe miqtë e tyre, e tek ata të pafajshëm të tjerë që kanë fatin e keq të ndeshen në një kafe apo në rrugë. Shumë prej tyre do të shpëtojnë, por disa për fat të keq jo. Ka edhe një bilanc ekonomik. Duke rritur zinxhirin dhe vatrat e infektimeve, Basha shtyn ditën në të cilën ekonomia jonë do të rihapet dhe vendos në rrezik sezonin turistik. Në rastin e parë do goditen ata pak fatkeqë që do t’iu bjerë për pjesë. Në rastin e dytë, goditemi të gjithë së bashku, pa përjashtim.
Në një vend normal diçka e tillë nuk ka shanse të ndodhë. Në muajt e fundit, me dhjetëra vende kanë zhvilluar fushata elektorale të suksesshme pa nxjerrë njerëzit në sheshe, e aq më pak duke i nxjerrë ata pa maska. Në këto muaj, shumë qeveri janë ndërruar edhe pa nevojën e demonstrimeve të shtirura të forcës që kanë si objektiv mizerabël krijimin e një fryme për të korrur një grusht votash më shumë.
Shtetet e Bashkuara, si asnjëherë më parë, nuk bëjnë pjesë në listën e këtyre vendeve normale. Fushata e 2020-s në Amerikë ishte e paprecedent. Edhe atje u përball një kandidat që e quante Covidin një grip të zakonshëm, diçka që as që duhet të merrej në konsideratë. Përballë një tjetri, që tregoi kujdes maksimal dhe shndërroi pandeminë në prioritetin numër një të fushatës së tij.
Nga njëra anë Trump me mitingjet e tij madhështore, me mijëra përkrahës pa maska. Nga ana tjetër Biden, me takimet e tij me pak njerëz dhe lidhjet online me mbështetësit e tij. Rezultatin e dimë të gjithë. Ndryshe nga çfarë mund të besojë dikush në Shqipëri, njerëzit nuk janë budallenj.
Shumë nuk e duan Ramën. Është diçka e shëndetshme në një demokraci. Shumë të tjerë e duan, ndërsa disa ende nuk e dinë se për kë të votojnë. Por, të gjithë këta njerëz i bën bashkë diçka përpara të cilës, asgjë tjetër në jetë nuk ka rëndësi… shëndeti. Sot, mund ta duash Ramën ose jo. Mund të biesh dakord me politikat e tij ekonomike ose jo, e kështu me radhë. Por, në këtë kontrast therrës, edhe nëse Ramën përsëri nuk do ta votosh, ka diçka që nuk mund të mohohet. Rama është sot për sot i vetmi që e konsideron shëndetin të shtrenjtë. Sa vlen shëndeti përballë votës? Do të ishte mirë, që dikush t’i jepte përgjigje sa nuk është vonë kësaj pyetje. Por, për fat të keq, ndryshe nga rasti i Covid, një vaksinë për logjikën nuk është shpikur akoma.