Nga data 1 deri në 23 prill do të testohen kandidatë për mësues nga të gjitha profilet.
Pandemia ka zhvendosur edhe kohën e mbajtjes së sezonit të provimeve të licencës. Pas profesionistëve të Shkencave Mjekësore Teknike, prilli do të jetë për mësuesit e rinj.
Bazuar në databazën e listave që iu kanë ardhur nga zyrat vendore arsimore, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka hartuar kalendarin e datave, ndërsa shumë shpejt do të dalë me emrat, bashkë me datën dhe orën e caktuar për çdo të ri që ka aplikuar për të marrë pjesë në provimin e shtetit.
Të parët që futen në testim për licencë janë mësuesit e Gjuhë-Letërsisë, ndjekur nga kandidatët për mësues të gjuhëve të huaja, por duket se më të shumtët në numër do të jenë ata të arsimit fillor, të cilët janë lënë për nga fundi i sezonit.
Secilit kandidat do t’i nevojitet të paktën gjysma e pikëve për të qenë kalues e për këtë do të duhet të punojnë me fondin e pyetjeve dhe aplikacionin e provimeve të shtetit ku mund të ushtrohen, në pritje të ditës së testimit.
Kujtojmë që provimi i shtetit është filtri i radhës për arsimtarët, por jo i fundit. Pas diplomimit 5-vjeçar, përfundimit të praktikës profesionale të detyrueshme njëvjeçare dhe licencimit, mësuesit e rinj do të duhet të rifuten sërish në provim.
Kësaj here, për t’u punësuar, Portali “Mësues për Shqipërinë” i rankon ata bazuar në portofolin profesional dhe pikëve që do të marrin në provimin e radhës. Punësimi do të jetë pikëtakimi midis rezultatit të tyre dhe vendeve vakante që pritet të hapen gjatë vitit shkollor.
RREGULLORJA E RE
Sezoni XVI i provimeve të shtetit për mësuesit do të zhvillohet bazuar në rregulloren e vjetër, ndonëse është miratuar rregullorja e re që në muajin dhjetor të vitit 2020-ës. Kjo e fundit parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm që veç të tjerash do të rishikojë fondin e pyetjeve dhe fut online gjithë databazën e kandidatëve. Edhe në këtë rast, e-albania do të shërbejë edhe për aplikimin e të rinjve që duan të bëhen mësues.
“Kandidati bën aplikimin online në portalin qeveritar e-albania për regjistrimin në provimin e shtetit, pas diplomimit dhe përfundimit me sukses të praktikës profesionale.
Aplikimi online për regjistrim kryhet deri në katër javë përpara datave të zhvillimit të sezonit të provimeve të shtetit. Aplikimet elektronike për pjesëmarrje në provim shteti aksesohen dhe përpunohen nga urdhrat profesionalë apo autoritetet kompetente.
Çdo UP shqyrton aplikimet online dhe hedh në sistemin e provimeve të dhënat e kandidatëve të pranuar që do t’u nënshtrohen provimeve të shtetit për çdo profesion të rregulluar javë përpara sezonit të provimit”, citohet në urdhrin e firmosur nga Ministria e Arsimit.
Aplikimi nuk do të kalojë më nga zyrat vendore arsimore. Kandidati ngarkon online diplomat apo çdolloj dokumenti të barasvlershëm me to, vërtetimin e praktikës profesionale, procedurë kjo që do të kryhet sa herë që ai futet në provim.
Rregullorja e re ruan të pandryshuar herët e pjesëmarrjes në provim, çka u mundëson të rinjve të ritestohen sa herë të duan kundrejt pagesës që vjen në rritje, për çdo herë. Provimet do të vazhdojnë të jenë online dhe i gjithi me alternativa.
Komisioni i provimit të shtetit që do të ngrihet merr të gjitha përgjegjësitë për mbarëvajtjet e tyre, ndërsa QSHA ka rol kyç në të dhënat e administruara.
/a.r