Nga Ylli Pata
Siç pritej, ka nisur një sulm politik për vaksinat e mbërritura sot në Shqipëri nga Turqia, si pjesë e një marrëveshje të qeverisë shqiptare me kompaninë turke që prodhon vaksinën anti-Covid Sinovac.
Pas një sulmi të medias pranë familjes Berisha, dy përfaqësues të lartë të opozitës me profesionë mjekë: Tritan Shehu dhe Petrit Vasili kanë lëshuar alarmin se shqiptarëve po u injektohet një vaksinë e pasigurtë dhe e rrezikshme.
Një tezë e thënë qesim, fiks si i famshmi alarm për orarin e rënies së tërmetit.
Ka një kaos total nga ana e politikës opozitare në lidhje me qasjen ndaj luftës kundër pandemisë së koronavirusit, e në veçanti ndaj vaksinave.
Ndërkohë që kanë qenë përfaqësues të opozitës, që disa herë kanë bërë thirrje pas mungesës së ardhjeve të vaksinave nga Pfizer, Moderna apo Astrazeneka, për të hapur rrezen e përdorimit të vaksinave të tjera.
Mesila Doda, kandidate e PD-së, ka qenë ndër të parat që bërë të ditur se nuk duhet të ketë paragjykim për të sjellë vaksinën Sputnik V në Shqipëri.
Po ashtu edhe Petrit Vargu, mjek pranë LSI-së ka deklaruar në emisionet televizive që duhet të hapet vendi ndaj vaksinave të tjera, si pasojë e pamundësisë nga kompanitë perëndimore për të furnizuar Shqipërinë.
EMA, që është Agjencia e Barnave të BE-së, ka certefikuar vaksinat që i përdor në territorin e saj, që janë Pfizer, Moderna, Astrazeneca, ndërkohë që ka nisur të ekzaminojë vaksinën Sputnik që nga fillimi i marsit.
Nënkryetari i LSI-së ka deklaruar sot se vaksina kineze ka një rezultat suksesi prej 50%, kundër mbi 90% të vaksinave perëndimore.
Siç bën të ditur BBC, në një artikull të saj, vaksina kineze e cila përdoret në një numër të madh vendesh, ka një vlerësim të ndryshëm, sipas testimit që është bërë në popullsi.
Kështu, konsorciumi kinez Sinofarm që prodhon vaksinat anti-covid, ka bërë të ditur se kjo vaksinë ka një rezultat prej 79% në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkaq, Turqia ka bërë të ditur se Sinovac që aplikohet në këtë vend, ka një saktësi prej 92%.
Emiratet e Bashkuara Arabe bëjnë të ditur se efektiviteti është 86%.
Ndërkaq, Indonezia, një vend shumë i madh që përdor vaksinën kineze, ka bërë të ditur se efektiviteti i saj në popullsi është 65%, po sipas BBC-së.
Shifra që përmend Vasili 50% është një qëndrim i kërkuesve të Brazilit, që përdor Sinovac masivisht nw dhjetorin e shkuar, por ndërkohë që po studiuesit brazilianë kanë dhënë shifrën e 78% si efektshmëri të kësaj vaksine.
Përveç Kinës, Sinovac në rajon po e përdor edhe Serbia, Mali i Zi, e Bosnja, ndërkohë që përdoret nga vende të mëdha si: Indonezia, Brazili, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Turqia etj.
Pra thjesht po të bëhet llogaritja me numrat e banorëve, shkon në 2 miliard banorë.
Vaksina kineze është një vaksinë klasike e krijuar nga një virus i dobësuar, ndërkohë që vaksinat perëndimore Moderna, Pfizer e Astrazeneca, janë të prodhuar nëpërmjet mRNA, siç quhet ndryshe shpërbërja gjenetike e virusit Covid 19, dhe injektimi i tij në trupin e pacientit.
Lufta politike ndaj vaksinën Sinovac nga ana e opozitës, thjesht do që ta polarizojë e politizojë një situatë jetike e dramatike për qytetarët, siç është rreziku për shëndetin e tyre.
Debati për efektivitetin apo edhe rrezikun e mundshëm të vaksinës kineze duhet bërë profesionalisht dhe me kujdes, duke përdorur argument shkencore e logjika të studiuara.
Vetë përdorimi i kësaj vaksine nga miliarda njerëz në botë, është një argument që askush nga këto vende nuk është aq i çmendur sa të rrezikojë jetën e qytetarëve të vet…
TemA