Kolegji i Posaçëm i Apelimit i vlerëson si jo bindëse dhe në kundërshtim me provat deklarimet e ish-kryetarit të Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci dhe konkludon se ai ka fshehur një apartament në Tiranë duke u përpjekur të manipulojë të vërtetën – si dhe se është përpjekur të shmangi dhënien e shpjegimeve për arsyet që qëndrojnë në themel të dhurimit të një vlere 20 mijë euro në favor të tij.
Nga Edmond Hoxhaj
Megjithëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të bazuara disa prej pretendimeve në ankimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për largimin e tij nga detyra, tre prej shkaqeve janë rigjetur shkarkuese.
Trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Ina Ramën, Natasha Mulajn dhe Sokol Çomon, vendosën më 24 nëntor 2020 të lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e Secit, pasi u konstatua mungesë burimesh të ligjshme në disa vite, si dhe u konkluduan fshehja e një apartamenti në Tiranë dhe e një dhurate në shumën 20 mijë euro.
Dritan Seci e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2004 si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Tropojë. Në vitin 2009, ai u emërua kryetar i Gjykatës së Tropojës, detyrë të cilën e mbajti deri më datë 11 mars 2019, kur u shkarkua nga KPK për problemet e konstatuar në kriterin e pasurisë. Seci u vlerësua i përshtatshëm për pastërtinë e figurës dhe se kishte arritur nivel minimal kualifikues për profesionalizmin.
Ashtu si Komisioni, edhe KPA konkludon se gjyqtari Seci ka fshehur një apartament me sipërfaqe 77 m2 në “Rrugën e Durrësit” në Tiranë, të porositur në vitin 2008 kundrejt vlerës 50 mijë euro.
Komisioni, ka konkluduar se Seci e ka fshehur apartamentin në Tiranë dhe pagesat përkatëse, si në deklaratën periodike të pasurisë të vitit 2008, ashtu dhe në vijim. Shpjegimet e subjektit se, këtë apartament e dispononte një mik i tij, e ka përdorur për periudhën 2014 – 2015 dhe se ka paguar vetëm shërbimet, Komisioni e konsideroi si deklarim të rremë, pasi rezultonte që ai të kishte lidhur kontratë porosie që prej vitit 2008.
Kolegji analizon deklarimet e subjektit të dhëna në funksion të procesit të rivlerësimit, prej nga vëren se vëren se Seci ka dhënë shpjegime të ndryshme. Në përgjigjet e pyetësorëve nr. 1 dhe 2, ai nuk e ka përmendur faktin që këtë apartament e kishte porositur vetë, ndërkohë që pasi është njohur me rezultatet e hetimit të KPK, ka pranuar se ka një kontratë porosie, por ka këmbëngulur se ky apartament nuk ka kaluar asnjëherë në pronësinë e tij.
Seci ka deklaruar se me administratorin e shoqërisë ndërtuese kishte miqësi dhe se ai i kishte thënë se do të ndërtonte një kompleks tjetër dhe kishte vendosur që të mos e blinte apartamentin e porositur më pare. Gjithashtu, ka dekjlaruar se administrator i shoqërisë, M.L. i kishte kthyer kaparin në shumën 4 mijë euro të paguar në vitin 2008. Ai ka vijuar se për shkak të miqësisë, e ka përdorur këtë apartament në vitet 2014 – 2015 pa qira dhe se kontrata e porosisë është përdorur për lidhjen e kontratës së energjisë elektrike, për lehtësi administrative, pasi formalisht nuk ishte revokuar.
Për të mbështetur pretendimet e tij, Seci ka depozituar edhe një deklaratë noteriale të administratorit të shoqërisë ndërtuese M.L.. Por, Kolegji vëren se M.L. ka deklaruar të njëjtat qëndrime të subjektit të rivlerësimit të mbajtura në përgjigjet e rezultateve të hetimit. Sipas trupit gjykues, për shkak se kjo deklaratë është kryer gjatë procesit të rivlerësimit, krijon bindjen se është konceptuar në favor të pretendimeve të Secit.
KPA konstaton se kontrata e porosisë nuk është deklaruar në vitet 2008, ndërkohë që Seci në deklaratat periodike të viteve 2010 dhe 2011 ka shënuar si adresë banimi pikërisht këtë apartament në Tiranë. “[…]çka do të thotë se subjekti i rivlerësimit ka vazhduar ta përdorë si apartamentin e tij dhe jo vetëm në periudhën që ai pretendon (2014-2015)”, evidenton Kolegji.
Bazar në dokumentacionin e administruar gjatë hetimit në KPK, Kolegji rrëzon edhe pretendimin tjetër të Secit se, apartamenti i porositur prej tij në vitin 2008 është blerë në vitin 2015 nga shtetasi R.F. . Sipas KPA, apartamenti i porositur nga gjyqtari Seci ndodhet në katin e dytë të pallatit, kurse ai i shkëmbyer mes R.F. dhe shoqërisë ndërtuese gjendet në katin e katërt. “[…]edhe pse duket e njëjta sipërfaqe ndërtimi, nuk rezulton të jetë i njëjtë pozicioni gjeografik i apartamentit ku ka banuar subjekti i rivlerësimit dhe kati i apartamentit për të cilin pretendohet se e ka blerë R. F”, konstaton Kolegji.
Në parashtrimet e dorëzuara në Kolegj, Seci ka sqaruar se, kontrata ku ka paguar kaparin nuk ka qenë e realizuar para noterit dhe, pasi i mungonte ana formale, nuk është revokuar.
Trupi gjykues vëren se ky është një qëndrim tjetër nga sa ka mbajtur Seci në Komision, në përgjigje të pyetësorëve për këtë pasuri. “Fillimisht subjekti i rivlerësimit në pyetësorin standard të Komisionit ka thënë se M. L ia kishte dhënë në përdorim apartamentin, pa ekspozuar kontratën e porosisë me shoqërinë e ndërtimit {***} ShPK. […]Më tej, i pyetur dhe i vënë në dijeni nga Komisioni, pasi nga hetimi administrativ kryesisht ka rezultuar një kontratë sipërmarrjeje për apartamentin e përdorur, subjekti i rivlerësimit e pranon që ka një kontratë, por jo që ky apartament ka kaluar në pronësi të tij, pasi sipas tij do të ndërtohej një tjetër kompleks[…]”, konstaton KPA.
“Pra, siç vërehet, qëndrimet e ndryshme të subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit, bëjnë që shpjegimet dhe përgjigjet e tij të jenë të pabesueshme dhe jobindëse, kjo e mbështetur edhe me dokumente dhe rrethana të tjera të rezultuara gjatë shqyrtimit administrativ në Komision dhe atij gjyqësor në Kolegj, çka e bën evident faktin se subjekti i rivlerësimit përpiqet të manipulojë të vërtetën”, citohet në vijim në vendim.
Në përfundim, trupi gjykues i KPA konkludon se gjyqtari Seciu ka kryer fshehje të kësaj pasurie,
Gjatë hetimit administrativ, KPK zbuloi edhe një transaksion të dyshimtë dhurimi në vlerë të konsiderueshme nga një person me shtetësi britanike në favor të gjyqtarit Seci në vitin 2014. Megjithëse ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë, Komisioni konkludoi se Seci e ka fshehur dhurimin e vlerës 20 mijë euro.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, ka konfirmuar se në emër të shtetasit Dritan Seci ka raportime për deklaratën noteriale të njëanshme të hartuar përpara noteres E. L. nga shtetasi B. M. i cili deklaronte se, nga të ardhurat e tij personale nga puna, i ka dhënë në formë ndihme mikut të tij Dritan Seci shumën 20 mijë euro.
Por, një udhëtim i kryer në Kosovë, ka forcuar dyshimet e Komisionit për lidhjen e mundshme mes gjyqtarit Seci dhe shtetasit B.M., pasi ky i fundit ka lëvizur me makinën që përdorej prej subjektit të rivlerësimit.
Seci e ka mohuar të ketë njohje me B.M.. Ai ka pretenduar se deklarata e B.M. para noterit është e njëanshme dhe nuk provon në asnjë situatë marrjen nga Seci të shumës së pasqyruar në deklaratë. “Sipas kësaj logjike, çdokush mund të bëjë një deklaratë të tillë dhe të mund të vendosë çdo lloj shume, por kjo kurrsesi nuk mund të provojë faktin se diçka e tillë ka ndodhur vërtet”, ka deklaruar Seci.
Kolegji vëren se deklarata noteriale është hartuar në vitin 2014, kur procesi i rivlerësimit nuk kishte nisur, por ndërkohë subjekti ka pasur detyrimin që në deklarimet pranë ILDKPKI të evidentonte çdo transaksion të kryer prej tij ose në favor të tij.
“[…]fakti i dokumentimit të kësaj shume me veprim juridik të njëanshëm, kryer në këtë formë, i ka lejuar subjektit të rivlerësimit të shmangë dokumentimin e dhurimit dhe pranimin nga ana e tij e, në këtë mënyrë, edhe detyrimet për ta deklaruar ndër vite. Kjo mënyrë duket edhe si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë apo dhënien e shpjegimeve për arsyet që qëndrojnë në themel të këtij dhurimi”, konstaton Kolegji dhe arsyeton se deklarimet e shpjegimet që bën gjyqtari Seci në lidhje me këtë fakt, konsiderohen se tentojnë të fshehin të vërtetën.
Trupi gjykues vlerëson se përgjigjet dhe shpjegimet që ka dhënë Seci gjatë procesit administrativ janë në kundërshtim me dokumentacionin e administruar në dosje.
“Pavarësisht se subjekti deklaron se nuk e njeh shtetasin dhurues të shumës 20.000 euro, nga dokumentacioni i ekstraktuar nga sistemi TIMS, rezultoi se si subjekti i rivlerësimit, ashtu edhe B. M. kishin udhëtuar nga Shqipëria në drejtim të Kosovës, në të njëjtën pikë kufitare Qafë Morinë. Kalimi i kufirit është bërë me të njëjtin automjet, i cili rezultoi në pronësi të vëllait të subjektit të rivlerësimit, për një segment kohor me diferencë prej dy ditësh”, evidenton Kolegji dhe vlerëson se këto rrethana të çojnë në mospranimin e pretendimit të Secit se nuk ka njohje me dhuruesin e shumës.
Gjithashtu, trupi gjykues evidenton se Seci, megjithëse është shprehur në ankim se po shqyrtonte mundësinë për një kallëzim në prokurori për B. M., këtë e ka realizuar vetëm pak ditë përpara fillimit të gjykimit të çështjes në Kolegj.
“Kjo tregon qartësisht se subjekti i rivlerësimit nuk ka dashur që kjo çështje të marrë zgjidhje dhe të merret vendim nga prokuroria përpara shqyrtimit të çështjes së subjektit të rivlerësimit në Kolegj, por të dokumentojë vetëm faktin e dorëzimit të kallëzimit penal për efekt të këtij procesi, çka e bën subjektin e rivlerësimit jobindës për qëndrimet që ka mbajtur”, citohet në vendimin e arsyeutar në KPA.
Edhe në këtë rast, Kolegji arrin në konkluzionin se gjyqtari Dritan Seci ka kryer fshehje të dhurimit të shumës 20 mijë euro.
Nga analiza financiare ka rezultuar se gjyqtari Seci dhe bashkëshortja e tij kanë mungesë të burimit financiar të ligjshëm për të justifikuar shpenzimet dhe pasuritë për vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012.