Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar besimtarët bektashinj me rastin e festës së Sulltan Nevruzit. Bashkë me urimin, Kreu i Shtetit ka dhënë mesazhin se një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel.
“Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e Imam Aliut!
U bashkohem sot lutjeve për shëndetin tuaj dhe të çdo anëtari të familjes!
Një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës!
Diell dhe Pranverë në zemrën e çdo shqiptari”, shkruan Presidenti Meta në Facebook.
Edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, me rastin e 22 Marsit, Ditës së Sulltan Novruzit dhe 30-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i ka dërguar një letër urimi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Me këtë rast, Kryetari Ruçi ka uruar besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, për këtë ditë të shënuar.
“I dashur Baba Mondi,
Ju falenderoj nga zemra për ftesën për të marrë pjesë në veprimtaritë që kremtojnë Ditën e Sulltan Novruzit dhe 30 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Për shkak të angazhimeve të mia zyrtare, e kam të pamundur tiu bashkohem në këtë gëzim fizikisht. Me zemër jam atje dhe gëzoj e lumturohem bashkë me ju.
Dy ngjarjet e shënuara, të cilat festojmë sot, zbukurojnë jo vetëm jetën e bektashinjve, por të të gjithë shqiptarëve, në këto kohë të vështira të pandemisë, kudo ku ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, vendet e tjera të rajonit dhe në Diasporë.
Bektashizmi ka qenë në çdo kohë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe njerëzore për shqiptarët dhe bektashinjtë rrezatues, misionarë dhe edukatorë të atdhetarizmit, solidaritetit, tolerancës dhe humanizmit.
Këto vlera dhe këtë forcë të madhe shpirtërore, bektashinjtë e treguan edhe gjatë dekadave kur dhuna politike i ndaloi të ushtronin ritet e tyre në komunitet, në teqetë dhe vendet e shenjta.
Forca e qëndresës bektashiane po shfaqet edhe gjatë këtyre stinëve të vështira të pandemisë, duke lehtësuar pasojat e saj të besimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Bektashizmi, kjo shkollë e madhe e tolerancës, është njëkohësisht një shkollë e madhe e besimit, fuqisë, mbijetesës dhe rezistencës ndaj të keqes.
Ju përshendes edhe njëherë të gjithëve, ju, pjesëmarrësit në festë, besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët dhe ju uroj shëndet e gëzime në vatrat familjare.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
g.kosovari