Sot është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Gjergji Sauli, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Lajmin e ka bërë me dije përmes një njoftimi vetë GJK në faqen e saj zyrtare, teksa thotë se drejtësia shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha e më të shquara.
Z. Gjergji Sauli lindi më 27 dhjetor të vitit 1938 në Korçë, Shqipëri. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1960. Në vitin 1985 ka mbrojtur titullin “Kandidat i shkencave juridike” dhe në vitin 1994 ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike”. Është dekoruar me “Urdhërin e Punës të Klasit të Parë” dhe me medaljen e artë “Për Merita të Veçanta Civile”.
Gjatë karrierës së tij profesionale z. Gjergji Sauli ka shërbyer si gjyqtar, avokat, si lektor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe në Shkollën e Magjistraturës.
Në vitet 2001 – 2008 z. Gjergji Sauli ka ushtruar funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe në periudhën 2004 – 2007 ka ushtruar detyrën e Kryetarit të kësaj gjykate, detyra të cilat ai i ka kryer me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Me ndarjen nga jeta të z. Gjergji Sauli drejtësia shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të shquara.