Monologu i duarve

 

Nga Frrok Çupi

Njeriu nuk ka vetëm duar, madje duart i ka larg, në ekstremet e tij, në fund të krahut. Por ka dy kohë kur duart përdoren para organeve të tjera: Një herë kur janë stinët e të korrave dhe vjeljes; dhe, hera tjetër kur njeriu ngatërron duart me trurin.

Tani nuk ndodhemi në stinë korrjesh.

Konflikti që ndodhi në Elbasan mes një deputeti dhe një individi biznesmen e solli marrëzinë njerëzore deri në përzierjen mendje- duar. Deputeti i hyri ‘vët e vët’ me të gjitha ekstremet e trupit- atij tjetrit; dhe ai tjetri e gërvishti afër kokës ku duhet të rrijë mendja.  Mund të kishin hyrë në monologje edhe organe të tjera, si për shembull organet që përshkroi shkrimtarja amerikane Eva Ensler, në një përpjekje për të përshkruar revolucionin feminist…

Po këta e kanë mendjen në duar; edhe epshet e tjera i përqendrojnë në duar.

Po t’u funksiononin organe të tjera më të buta, siç përshkruan Ensler, presidenti i Republikës nuk do të përdorte grushtet dhe pështymën kundër policëve në një korridor pallati në Tiranë. Të pesë gishtat që janë ekstremi i krahut, për presidentin, dhe për deputetin, dhe për vulgarët e politikës,- janë vendosur shumë larg trurit; edhe nëse do të ulnin krahët, prapë gishtat këta tipa do t’i zhvendosnin në ndonjë organ tjetër, por jo në tëmtha. Presidenti i Republikës, nga ku janë frymëzuar të gjithë heronjtë e dhunshëm, ka vetëm gishta. Shkrimtarja amerikane Eva Ensler që shkroi novelën ‘Monologjet e….’ organit, zor se do t’i kishte konstatuar Metës ndonjë nerv tjetër më të përdorshëm. Edhe kur bëri deklaratën më të egër politike mbi zgjedhjet e 25 prillit, Ilir Meta vuri të parët gishtat. ‘Do t’ua pres gishtat…!’, tha, kujtdo që ‘vë dorë mbi zgjedhjet’. E vini re se zoti president flet vetëm për zgjatimet ekstreme: gishtat dhe duart.

Të njëjtën gjë bëri edhe deputeti i Elbasanit, Boçi, kundër qytetarit Luca. Luca tha se ka edhe një organ tjetër të dëmtuar, por nuk e shfaqi; ndërsa Boçi tregoi vetëm duart. Edhe një zyrtar tjetër politik në Elbasan, Bylykbashi, nxori duart e kërcënoi me ‘mbytje, me duart e mia’ ndaj një deputeti tjetër socialist. Në ditën e verës, dy grupe militantësh, nuk vunë në përdorim asnjë shqisë tjetër as para ballokumeve, por i hynë njëri tjetrit me duar. Partia Demokratike dërgoi në Elbasan zëvendës- kryetarin Bardhi, të cilin një ish deputet i PD e ka konstatuar si me zë ‘as burrë, as grua’; por me siguri edhe ky burrë i butë do të përdorë vetëm duart gjatë kësaj fushate.

Njësoj si organi i monologjeve i shkrimtares Ensler (që është vënë në skenë edhe në teatrin e Tiranës dhe Prishtinës), edhe në rastin tonë organi ‘dorë’ është kthyer në një organ që nuk flet më, por është vetëm një vend ku shkohet e nuk kthehesh.

Njerëzit do të ndjeheshin më mirë të shikonin, si me ‘turp seksual’ ‘Monologjet…’ e Evës në skenën e Teatrit, njëmijë herë para këtij organi që po përdoret tani. ‘Filani ka dorë!’, thonin dikur kur njoftonin rrezikun ndaj një të tërbuari. Ndërsa këta që kanë ‘dorë’ sot, ne i kemi o në presidencë, o në opozitë.

Në Teatër, spektatorët e Teatrit me ”Monologjet e …”, u ndjenë pak si të ‘turpëruar’ , ndërsa tani njerëzit po ndjehen të frikësuar nga organi tjetër, nga duart. Kemi tre dekada që shikojmë duar të frikshme në krye të shtetit; ashtu si edhe gjysmë shekulli tjetër në diktaturë që pamë vetëm duar me pranga. E si të mos kemi frikë?! Frika se mos vallë këta tipa një ditë do të kenë fuqi politike sa të na shkatërrojnë jetën me duart e tyre. A nuk u kujtohet tmerri i Luftës së vitit 1997, 1998, 2011, 2019…, të gjitha me duart e këtyre u bënë. Të të rrahë Ilir Meta, ose edhe ata në Elbasan,- kjo nuk është gjë e madhe. Po sikur këta që e kanë hyjninë në duar, të kenë forcë pushteti që të urdhërojnë tanke e avionë kundër popullit?… O zot, mos! Një herë e kemi provuar në 1997, 98, 2011. Vlora është aty si dëshmi me duar të prera.

Duart e kanë monologun me veten, në kurmin e këtyre njerëzve mizorë e banalë, nuk ka organe të tjera.

VERITAS.COM.AL

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com