Akuzat e kryeministri Edi Rama ndaj Presidentit Ilir Meta janë se ky i fundit do të kapë Reformën në Drejtësi. Por nga ana tjetër, kreu i shtetit thotë se po mbron pluralizmin pasi qeveria ka kapur çdo institucion.
Gjatë një prononcimi për mediat këtë të mërkurë, Meta deklaroi se Reforma në Drejtësi është kapur dhe shembuj për këtë mori mosprocedimet pas përplasjes tek selia e PD-së, dosjet për blerjen e votës dhe të dënuarit për drogë.
“Si mund të jetë më e kapur sesa është e kapur Reforma në Drejtësi. Si mund të jetë më shumë se sa kaq? Vetëm rasti që përmendëm pak më parë, ka ndonjë atje për ndjekje penale për atë situatë që ka ndodhur? Kush i del për zot atyre letrave të Bakallit pa firmë, pa vulë, pa numër protokolli? Ju e shikoni si u katandisën dosjet e Shijakut dhe të Dibrës nga peshkaqenët që ishin aty që i ka parë bota, që janë akoma në listën për kandidatë, kalohet në listat me cironka. Është njësoj si me çështjen e drogës. Në vend që të vihen para përgjegjësisë ata që pastrojnë paratë, keni në burgje nga ata që janë kapur me kanabis për 3 gramë kanabis”.
Më herët, kreu i shtetit ka deklaruar se ka një plan për mbrojtjen e votës. Për detajet e këtij plani të tij, Meta tha se do i njohë gazetarët në ditët në vijim.
“Se ç’përmban ky plan do të njiheni në ditët në vijim. Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot është 100% dakord me Presidentin që nuk duhet të vihet më dorë mbi votën sepse prandaj jemi në këtë situatë kaq të rëndë që udhëheqim në nivel botëror, për shpopullimin e vendit, pikërisht sepse niveli i funksionimit të shtetit, i respektimit të kushtetutës është katandisur në këtë situatë që e dini mirë ju dhe që e di gjithë bota e që është kusht i pakapërcyeshëm nga Be për çeljen. Të gjithë ti mbajnë larg duart nga votat. Të kontribuojnë për një fushatë civile dhe sa më europiane, të gjithë të paraqesin alternativat e tyre. Është pozitive se përveç forcave kemi edhe mundësinë të shprehemi për kandidatin ose kandidaten që preferojmë, duke dhënë një mesazh të qartë që drejtuesit politikë duhet të zgjedhin dhe përfaqësojnë njerëz me dinjitet”, tha Meta.
g.kosovari