Presidenti Ilir Meta ka mbajtur një prononcim të shkurtër para mediave këtë të mërkurë. Ai u pyet nga gazetarët në lidhje me akuzat e Ramës, që ka thënë se femrat shqiptare duhet të ruhen nga harbutëria e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Por kreu i shtetit deklaroi se asnjë gazetare nuk është prekur me dorë nga ai. Meta tha se këto akuza të Ramës janë bërë për të spostuar vëmendjen nga plani për të vënë dorë mbi zgjedhjet. Por kreu i shtetit deklaroi se këtë herë vullneti i popullit, sipas tij, do të lexohet siç duhet.
“Nuk është ankuar ndonjë gazetare për prekjen me dorë nga Ilir Meta edhe jo vetëm kaq, por përkundrazi ju e dini sa i durueshëm dhe i respektueshëm kam qenë me të gjitha ju. Ju e dini kush bën presione ndaj gazetareve dhe gazetarëve të cilët bëjnë pyetje që nuk kanë kaluar nga zyra e propagandës aty përpara, ose pronarët e medias detyruar nga presionet janë detyruar të porosisin pyetje provokuese. Mund të kemi vend për përmirësime në sjelljen me gratë dhe vajzat dhe do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim, por kur rekomandime të tilla vijnë nga një person që dihet si është sjellë me to mendoj që është më shumë se qesharake dhe përpjekje për të spostuar vëmendjen nga plani i vërtetë që është ai për të vënë dorë mbi zgjedhjet. E përsëris, kjo histori ka marrë fund. Vullneti i popullit do të lexohet siç është. Nuk ka sondazh të blerë, plan djallëzor dhe monstruoz që të shtrembërojë vullnetin e qytetarëve. Revolta për dhunimet që i janë bërë kushtetutës janë të jashtëzakonshme”, tha Meta.
/a.r