Dy pediatër nga jugu i Floridas kanë konfirmuar se një grua e cila kishte marrë dozën e parë të vaksinës së koronavirusit, ndërkohë që ishte shtatzënë, lindi foshnjen e parë me antitrupa Covid-19.
“The Guardian” raporton se mjekët e paraqitën këtë zbulim në një artikull paraprak, duke theksuar se ky pretendim ende nuk është rishikuar nga kolegët.
Dr. Paul Gilbert dhe Chad Rudnick thanë se nëna, një punëtore e kujdesit shëndetësor në vijën e parë të luftës, mori dozën e parë të vaksinës Moderna në Janar, në javën e 36 të shtatzënisë. Tre javë më vonë, gruaja lindi një vajzë që gëzonte shëndet të plotë.
Në artikullin e tyre, studiuesit shkruajnë se analizuan qelizat e gjakut nga kërthiza e foshnjës dhe antitrupat u zbuluan në kohën e lindjes.
“Foshnja ka potencial për mbrojtje dhe ulje të rrezikut të infeksionit nga Sars-CoV-2 me vaksinimin e nënës. Për njohuritë tona, kjo ishte e para në botë që u raportua për një fëmijë të lindur me antitrupa pas një vaksinimi. Ne testuam kordonin për të parë nëse antitrupat e nënës i kaluan foshnjës, gjë që shohim se ndodh me vaksinat e tjera të dhëna gjatë shtatzënisë”, tha Gilbert për filialin e “West Palm Beach ABC”.
Megjithatë, “ABC” thekson se për të përcaktuar nëse foshnjat mbrohen realisht nga këto antitrupa, duhen studime të mëtejshme.
“Ne nxisim hetuesit e tjerë të krijojnë regjistra të shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji si dhe të kryejnë studime të efikasitetit dhe sigurisë së vaksinave Covid-19 në gratë shtatzëna dhe gjidhënëse, si dhe pasardhësit e tyre”, thuhet në artikull.
“Ky është vetëm një rast nga mijëra foshnje të lindura nga nëna që janë vaksinuar dhe do të vaksinohen gjatë muajve të ardhshëm. Studimet e mëtejshme do të përcaktojnë se sa do të zgjasë kjo mbrojtje, në çfarë niveli të mbrojtjes ose sa antitrupa duhet të ketë një foshnjë për të qenë e mbrojtur”, u shpreh Rudnick për “ABC”.
Gilbert dhe Rudnick thanë që artikulli i tyre ishte pranuar për botim nga filiali i “ABC” dhe se ata po prisnin që të postohej zyrtarisht në faqen e revistës.
/a.r