Ndonëse piramidat janë sinonim për Egjiptin, qytetërime të shumta antike kanë ngritur struktura të ngjashme arkitektonike, në shenjë respektimi të të vdekurve. Afër qytetit Gematona në Sudan, që i takonte Mbretërisë Kushi, ndodhen gjurmët e 16 piramidave, nën të cilat janë të vendosura varreza, transmeton Koha.net.
Ndryshe nga Egjipti, ku këto objekte arkitektonike ishin ndërtuar vetëm si vendvarrime për faraonë dhe pjesëtarë shtresash elite, këtu në këto vendvarrime janë varrosur edhe anëtarë të respektuar më pak të shoqërisë.
Konstruksione të tilla janë ngritur nga viti 800 para erës sonë deri në vitin 400, përkatësisht kur u shemb mbretëria. Gjashtë piramida janë ndërtuar nga guri, ndërsa dhjetë nga tullat prej balte.
Në këtë lokalitet është gjetur tryeza me portretin e gdhendur të klerikut që i ofron temjan Ozirisit, Zotit të nëntokës. Tryeza me siguri ishte bërë për të dhuruar sakrifica të tij.
Ndonëse pjesëtarët e qytetërimit Kush adhuronin perënditë me origjinë egjiptiane, kulturat sudaneze kishin identitetin e tyre, karakteristikat e të cilit dallonin nga ato egjiptiane, transmeton Koha.net. Këto piramida i zbuluan arkeologët britanikë në shtator të vitit 2015. Ata këtë lokalitet e hulumtojnë tash 20 vjet.
Në qytetin Meroe në bregun lindor të Nilit ndodhen rreth 250 këso piramidash, nga të cilat më të vjetrat kanë rreth 4.600 vjet. Ato më 1888 i dëmtoi hulumtuesi Giuseppe Fellini, në kërkim të thesareve të fshehta. Kjo zonë aktualisht është e përfshirë nga lufta, prandaj nuk u rekomandohet turistëve, përgatiti Koha. (b.an)