Real Madrid të dielën do të ketë ndeshjen e fundit në kuadër të këtij edicioni të La Ligas ndaj Malagas, ndeshje kjo më e rëndësishmja.
Skuadra e Real Madridit është shumë pranë që të fitojë titullin e La Ligas, pasi në ndeshjen e fundit i duhet vetëm një pikë ndaj Malagas. Kështu madrilenët do të fitonin titullin e parë pas pesë vitesh dhe të 33-të në histori të skuadrës.
Por, ky titull do të kishte një çmim për Realin, pasi do të duhej t’i paguajë Malagas 1 milion euro. Arsye për këtë është Isco Alarcon, të cilin Real Madrid e transferoi pikërisht nga Malaga në vitin 2013 për 30 milionë euro.
Kjo pasi në kontratën e spanjollit ishte një klauzolë, e cila thotë se nëse Reali fiton La Ligan brenda pesë viteve të ardhshme, atëherë Malaga do të përfitonte një milion euro, përgatiti “Express”. (b.an)