Kryetarët e komunave të Kosovës dhe disa bashkive shqiptare u mblodhën sot bashkë në qytetin e Prizrenit, aty ku u përkujtua 144-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pasi u pritën nga kryetari Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në ndërtesën e Shtëpisë së Bardhë, kryebashkiakët u ndalën në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u mbajt edhe ceremonia përkujtimore.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e mbajtur në këtë ditë të rëndësishme, që shënon një prej ngjarjeve më të mëdha historike të mbarë kombit shqiptar, deklaroi se Lidhja Moderne e Prizrenit është shkrirja e kufijve edhe rritja e bashkëpunimit mes njëri-tjetrit.
Fjala e Veliajt në ceremoninë e mbajtur në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit:
Përshëndetje të gjithëve e mirë se ju gjetëm!
Teksa shikoja pikat e shiut, kur profesor Xhufi nisi fjalën, m’u kujtuan kohët kur në këtë hapësirë binin plumba. Edhe nuk ishim tut’, kështu që, ky shi besoj është begati.
Mirënjohje Komunës së Prizrenit, Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës për këtë organizim kaq dinjitoz, siç i ka hije kësaj ngjarje të madhe!
Është një kënaqësi e veçantë të jemi bashkë në Prizrenin historik, në këtë shtëpi historike dhe besoj fort që ky takim i sotëm, e ka edhe ai përmasën e vet historike.
Dua të quaj “Lidhja Moderne e Prizrenit”!
Një lidhje të re, që na bën bashkë, si dikur paraardhësit tanë nga të gjithë trevat shqiptare.
Sigurisht, koha është tjetër, situata është krejt tjetër nga ajo e 144 viteve më parë. Ne nuk jemi në luftë, ne jemi në paqe! Ne nuk kemi rreziqe territoriale: synimi ynë nuk është vendosja e kufijve. Përkundrazi, shkrirja e kufijve edhe rritja e bashkëpunimit mes veti.
Nuk ka konflikte dhe jemi të gjithë në një emërues të përbashkët për nevojën dhe domosdoshmërinë e komunikimit dhe dialogut mes nesh. Ne duam e duhet të japim e të marrim nga njëri-tjetri.
Ne duam të bëhemi bashkë siç thoshte Gëtja: “Është e nevojshme të bashkohesh, por jo thjesht për të qëndruar bashkë, por për të bërë diçka, punë të mira, së bashku.”
Në fjalimin e tij në lidhjen e qershorit të 1878-ës, Abdyl Frashëri tha se “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, thotë Abdyl Frashëri i madh.
E thashë, sot s’ka luftë, fatmirësisht jemi në paqe, ama edhe përse s’ka luftë, ka BESË.
Si qytete shqipfolëse e kemi lidhur sakaq një besë nën frymën e Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon, që duhet mbajtur dhe prandaj jemi sot këtu në Prizren. Besë për ta vijuar këtë bashkëpunim! Dhe kush është shqiptar e di mirë se ç‘është besa. Ia di mirë vlerën sepse jemi të lidhur në asht me besën.
Kjo “Lidhja Moderne e Prizrenit” është një vazhdimësi.
Unë vij nga Tirana! Dhe më vjen mirë që më ndoqi pas muzika e bandës së kryeqytetit të Shqipërisë, jo thjesht për ta luajtur himnin shqiptar, apo për t’i dhënë hare këtij momenti dhe muzikë kësaj dite, por më shumë për të sjellë atë që kjo bandë, kjo muzikë dhe ky himn përmban. Konceptin e bashkimit tonë!
Një shprehje e Aleksandër Dymasë nis me togfjalëshin: “Të gjithë për një dhe një për të gjithë, të bashkuar rezistojmë të ndarë biem”.
Ta gëzojmë këtë ditë dhe ju falënderojmë të gjithëve për mikpritjen, dashurinë dhe vëllazërinë!
/a.r