Jeniffer Chollet nga Zvicra dhe Zinedine Nkeh nga Kameruni janë dy bashkëpunëtorët e tjerë të Josoua Ngankam, të cilit iu gjetën 1.2 milionë euro false në Rinas pak ditë më parë, të arrestuar nga policia. Mësohet se zviceriania Chollet jetonte prej disa vitesh në vendin tonë dhe emri i saj si bashkëpunëtore është shfaqur pas marrjes së deklarimeve të Ngankam.
Arrestimi i saj është bërë në orët e mbrëmjes së ditës së enjte. Zinedine Nkeh, 45 vjeç, rezulton të ishte Toni, personi që Ngankam kishte deklaruar më herët se ishte shqiptari që i kishte dhënë çantën ku u gjetën paratë në Tiranë. Mësohet se Nkeh, që sipas burimeve nga policia ishte autor kryesor në sjell e parave false, i kishte dhënë një adresë të një hoteli më Laprakë ku do të takoheshin për të marrë çantën. Zinedine Nkeh kishte mbërritur në Shqipëri disa ditë para Ngangam me një linjë tranziti.
Gjatë kontrollit në banesën e Chollet, 39-vjeçare, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, lastra dhe produkte të tjera që shërbejnë për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.