Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA-së, Tiranë finalizuan pas disa muajsh hetime me metoda speciale, operacionin për ndalimin e 2 punonjësve të policisë në strukturën e Komisariatit të Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.
Sot u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të Prokurorit të SPAK, në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojne funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”, për punonjësit e Policisë:
Henrik Zelija, me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë;
Laurenc Duda, me detyrë Shef Seksioni për Verifikimin e Shkeljeve Administrative.
Nga hetimet e deritanishme është e provuar dhe dokumentuar procedurialisht se dy punonjësit, gjatë ushtrimit të detyrës në këmbim të dorëzimit të automjetit në pronësi të një shtetaseje të sekuestruar në cilësinë e provës materiale për një ngjarje ndodhur në shtator 2019, i kanë kërkuar përfitime të jashtëligjshme në formë rryshfeti dhe favore seksuale.
Gjatë hetimeve, është provuar për të dy efektivët se e kanë sorrollatur këtë shtetase duke zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve seksuale.
g.kosovari